Më 11 mars u morë vendimi që të ndërpritet mësimi i të gjitha niveleve në tërë territorin e Kosovës, deri më 27 të këtij muaji, shkaku i koronavirusit.
Për mbajtjen e mësimit në forma alternative, përmes platformave online, është opsion që po shqyrtohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Ministrja e MASHTI-t, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se kanë filluar kontaktet me operatorët ekonomik për të ofruar ekspertizën e tyre, që mësimi të mbahet përmes platformave online, gjatë kësaj periudhe.
“Menjëherë pas marrjes së masave për ndërprerjen e mësimit në të gjitha nivelet, kemi filluar edhe kontaktet me operatorët ekonomik të cilët mund të ofrojnë ekspertizën e tyre, platformat apo infrastrukturën që mundëson mësimin online (virtual). Deri tani kemi iniciuar kontakte me përfaqësuesit e Microsoft, Gjirafa.com, Edukimi.net dhe LinkPlus, të cilët i falënderojmë për gatishmërinë e treguar për të mundësuar aplikimin e këtij formati të mësimit”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj, në rrjetin social Facebook.
Sipas saj, kabineti është duke vazhduar të ketë kontakte edhe me operator të tjerë, duke ftuar njëkohësisht që të gjithë ata që mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, që nxënësit të mos mbesin mbrapa me mësime, të paraqiten në MASHTI.
“Në ndërkohë, kabineti është duke identifikuar edhe operatorë tjerë potencial që do të mund të ndihmonin në organizimin e mësimit alternativ nga distanca në këto rrethana. Ju bëjmë thirrje të gjithëve që mund të ofrojnë kontribut në këtë proces që të lajmërohen në MAShTI. Po ashtu, kemi vendosur kontakte me Institucionet e Arsimit të Lartë dhe po analizojmë metodat më të mira që mund të aplikojmë për ofrimin e mësimit për të gjithë studentët”, ka shkruar Bajrami.
Ndryshe, mbyllja e shkollave më parë është bërë në Shqipëri, Itali, e nga e hëna pritet të mbyllen edhe në Gjermani.