Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, të nënshkruar më 22 janar të vitit 2021.
Në letrën e MASHT drejtuar SBASHK-ut, të siguruar nga Gazeta Reporteri thuhet se kontrata kolektive është shkëputur njëanshëm nga MASHT-i, “bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, e për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.
Kontrata kolektive në fjalë ishte nënshkruar nga SBASHK dhe Qeveria e Kosovës në 21 janar 2021, gjatë kohës kur kryeministër në detyre kishte qenë Qeveria e Avdullah Hotit.
Rrjedhimisht, sipas vendimit të Ministres Arbërie Nagavci, kontrata nuk ka legjitimitet me që në periudhën e nënshkruar u firmos nga një Ministër i një qeverie në detyrë.
“Kontrata Kolektive e datës 22 janar 2021 e nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të SBASHK dhe MASHTI (këtu e tutje referuar si: Kontrata Kolektive apo Kontrata), përmes këtij Njoftimi për shkëputje të Kontratës Kolektive (këtu e tutje referuar si: Njoftimi) shkëputet njëanshëm nga ana e MASHTI, bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, e për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”, thuhet në letrën e Ministrisë së Arsimit drejtuar SBASHK-ut.
Gjithashtu, MASHT në vendim thotë se Qeverisë në detyrë Hoti i ka munguar edhe “autoriteti kushtetues për të ushtruar kompetencat përkatëse”, rrjedhimisht edhe për nënshkrimin e kësaj kontrate kolektive.
Në fakt, Kontrata ishte nënshkruar 30 ditë pas vendimit të Kushtetueses, e cila e dërgoi vendin në zgjedhje.
“Megjithatë, Kontrata Kolektive është nënshkruar me datën 21 janar apo 30 ditë pas shpalljes së njoftimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me rastin KO95/20 dhe 26 ditë para mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës. Qeveria Hoti, të cilës, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO72/20 i mungonte autoriteti kushtetutes për të ushtruar kompetencat përkatëse nuk ka pasur legjitimitet për të qenë palë në procedurë e rrjedhimisht, as të nënshkruajë Kontratën Kolektive me SBASHK”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Arsimit.
Kontrata Kolektive i siguronte punëtorëve të arsimit mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për mësimdhënës, shpërblimin jubilar, kompensimin e shujtë dhe benefitet tjera.



