Bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Uashington, do të jenë shumë të vështira, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vullin në programin e mëngjesit të Televizionit “Pink”.
Takimi ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është paraparë të mbahet në Uashington më 4 shtator.
“Çdo takim është jashtëzakonisht i vështirë, nuk ka asnjëherë diçka të këndshme, ju bisedoni me njerëzit për të cilët e dini se sinqerisht e urrejnë popullin tuaj dhe vendin tuaj dhe që kanë vetëm një interes, dhe kjo është që t’ju dëmtojnë disi. Por, ju duhet të flisni”, tha Vullin.
Siç theksoi ai, fuqitë e mëdha gjithmonë kanë agjendën e tyre dhe nuk i kushtojnë shumë vëmendje “asaj që ne të vegjlit mendojmë, se a na lëndon diçka apo na bën të lumtur”.
Burimet diplomatike në Bashkimin Evropian paralajmëruan se në fillim të shtatorit do të mund të zhvillohet edhe një raund i bisedimeve të nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më 4 shtator, ndërkaq, Hoti dhe Vuçiq pritet të takohen në Uashington, me ftesë të këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brein.
Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë për synim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. \REL/