Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot është takuar me shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power dhe zyrtarë të KiE-së.
Gjatë këtij takimi ministri Selimi e ka njoftuar shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Power, për disa procese prioritare të MD-së, si Rishikimin Funksional të Sundimit të Ligjit, i cili tashmë është në fazën përfundimtare, legjislacionin lidhur me fuqizimin e luftës kundër korrupsionit, ecurinë e ligjit për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, procesin e hartimit të raportit nga Grupi Punues për llogaridhënie duke përfshirë edhe Vettingun, si dhe një sërë çështjesh që lidhen me reformën në drejtësi.
Ministri Selimi falënderoi Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, veçanërisht në sektorin e drejtësisë përmes projekteve të ndryshme.
Ministri Selimi nga zyrtarët e KiE, u informua për tri projekte kyçe të Këshillit të Evropës në Kosovë, respektivisht Projektin kundër Krimit Ekonomik PECK III, Përforcimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – faza II VAW, si dhe për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovë KoSEJ II.
Veçanërisht është diskutuar për njërin nga projektet e KiE-së me Ministrinë e Drejtësisë, për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave nga sektori i drejtësisë sipas metodologjisë së CEPEJ-it, rezultatet e së cilës analizë dhe të dhënat e grumbulluara kanë shërbyer gjithashtu edhe në procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, si dhe më pas në procesin e hartimit të Strategjisë Sektoriale për Sundimit e Ligjit.
Me këtë rast, ministri Selimi tregoi se si rezultat i këtij projekti, Ministria e Drejtësisë është duke punuar në themelimin e një njësie për analiza dhe statistika në Ministrinë e Drejtësisë, e cila do të jetë njësi koordinuese dhe përgjegjëse për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave nga sektori i drejtësisë.
Ndërsa Power e ka falënderuar ministrin Selimi në emër të Këshillit të Evropës për bashkëpunimin e frytshëm përgjatë këtyre viteve dhe ka vlerësuar si shumë pozitive seriozitetin me të cilën Qeveria e Kosovës i referohet ekspertizës së Komisionit të Venecias, që dëshmon vullnetin e vendit tonë për të respektuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Ministri Selimi dhe shefi i Zyrës së KiE-së Power, kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Evropës në çështjet kyçe, të cilat e avancojnë sistemin tonë të drejtësisë.