Ministri Selimi takohet me përfaqësues të Sindikatës së Shërbimit Korrektues

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot është takuar me përfaqësues të sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit, ku përfshihet edhe kërkesa e tyre për kompensim shtesë mbi pagën bazë në betejën kundër pandemisë Covid-19.

“ Sot gjatë ditës takova sindikatën e Shërbimit Korrektues të Kosovës me të cilët diskutuam për shqetësimin e ngritur për anashkalimin që po i ‘u bëhet për kompensimin shtesë mbi pagën bazë për punonjësit e institucioneve shtetërore në betejën kundër pandemisë Covid-19”, ka deklaruar ministri Selimi.

Gjatë këtij takimi, ministri Selimi është njoftuar edhe me propozimet e Sindikatës lidhur me Ligjin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Si ministër u zotova që shqetësimet e tyre do t’i adresojmë së bashku deri në arritjen e rezultateve të dinjitetshme për ShKK-në”, theksoi ministri Selimi.

Ministri Selimi tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë pandemisë ka punuar me kapacitete të plota, ku sipas tij, vendimet e tyre parandaluese kanë treguar rezultat.

“Falënderoj drejtorin, menaxhmentin, stafin dhe Sindikatën që kanë bërë një punë të shkëlqyeshme gjatë pandemisë”, deklaroi ministri Selimi.