Ministri Peci tregon se në skandalin me “Apetitin”, dyshohet se është i përfshirë edhe një një inspektor i AUV-it

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar në lidhje me raportimet për dyshimin e përfshirjes së një operatori ekonomik të prodhimit dhe tregtimit të mishit dhe mundësisë së përfshirjes së një inspektori të AUV-it në mashtrim e manipulim me dokumente zyrtare.

Peci tha se inspektori është dërguar në komision disiplinor ndërsa ndaj operatorit ekonomik është vendosur masa e ndalesës për eksport-import.

“Për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik”.

“Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera si Doganat e Kosovës dhe ATK të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra-tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara”, shkroi Peci, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se në rast të konfirmimit të pretendimeve, të gjithë individët e përfshirë, bashkë me operatorin ekonomik do të përballen me pasoja ligjore dhe administrative.

Emisioni hulumtues i TV Klan, “Stop” dje ka raportuar se kompania nga Vushtrria “Apetit sh.p.k.”, e ka shitur mishin e ngrirë me origjinë nga Brazili, si mish të freskët nga Kosova.

Për ta shitur mishin në këtë formë, sipas raportimeve të këtij mediumi, kompania në fjalë e shkrinte mishin 24 orë përpara, për ta bërë të duket si mish i freskët.

“Stop” e ka trajtuar këtë temë, duke qenë që sipas burimeve që kanë, në vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kilogramë mish nga kompanitë shqiptare, nga kompania Apetit sh.p.k.