Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar emrat e disa përfituesve të granteve në pushtetin e tij, e që janë familjarë të politikanëve të opozitës, apo edhe anëtarë të partive të opozitës në nivel qendror, përfshirë edhe disa asamblistë komunash.
Ka thënë se nuk po e kupton pse një i afërm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, duhet të privohet nga granti.
“Vazhdojmë të mos e kuptojmë zhurmën andaj një pyetje për zhurmuesit: Ku qëndron shkelja e pretenduar që thoni se ne po e diskriminojmë dikë për shkak të bindjeve politike e në këtë rast, i afërt me akterë të Vetëvendosjes? Pse dikush duhet të privojë të afërmit e akterëve të VV-së të përfitojë? Me cilin rregull? Bazuar në cilin ligj?! Përkundër dëshirës sime që të mos merrem me emra të përvetshëm, më duhet t’i demaskoj të gjithë zhurmuesit me vetë faktin se në qeverisjen tonë angazhimi politik nuk përbën pengesë në realizimin e së drejtës për aplikim dhe përfitim, duke mos e diskriminuar askënd mirëpo duke e trajtuar secilin në mënyrë meritore dhe të barabartë”, ka shkruar Peci në Facebook.
Para tri ditësh, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, ka hedhur akuza ndaj Pecit dhe Fitore Pacollit, se kanë ndikuar që Blerim Pacolli, vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, të fitojë një grant në vlerë rreth 100 mijë euro. Zyrtari i LDK-së ka thënë se biznesi që përfitoi është regjistruar vetëm katër ditë më parë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
Pacolli i LDK-së, i cili është sekretar i Forumit Rinor të kësaj partie, ka thënë se ministri Peci duhet të fokusohet në llogaridhënie për procesin e dhënies së grantit.
“Çka s’nin njeri, veç nën qeverisjen e Vetëvendosjes, kriminelë janë ata që e bëjnë publik krimin që e kanë ba ata! Qetësohuni moreee! Ministër Faton Peci, të kisha sugjeru me u qetësu e mos me eskalu në gjuhë fyese e sharëse! Paratë e dhëna për vëllain e Fitore Pacollit e këshilltarin tënd, janë të shtetit jo të xhepit tuaj, prandaj duhesh me dhanë llogari, ama me qetësi!”, ka shkruar zyrtari i LDK-së.
E në një konferencë për media, të dielën, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka kërkuar shkarkimin e tyre.
“Të hetohet nëse ky përfitim është rezultat i vartësisë zyrtare që ministri i Bujqësisë e ka në raport me kryetaren e Komisionit Parlamentar për Bujqësi. Zyrtarët më të lartë të shtetit, për fitimin e këtij projekti nga vëllai i deputetes Pacolli po e mbrojnë dhe arsyetojnë me arrogancë por po heshtin për refuzimin e përkrahjes së aplikimit të zonjës Fahrije Hoti që është njëra prej heroinave të Krushës”, ka thënë Mustafa.
Të shtunën deputetja Pacolli ka thënë se do të ushtrojë padi ndaj mediave që kanë publikuar lajmin për grant.
“Të gjithë ju gazetarë e analista ‘profesionalë’ që keni lakuar emrin tim do të shihemi në gjykatë për shpifjet dhe akuzat pa bazë”, ka shkruar ajo.
E vëllai i saj, përmes një postimi në Faceebok, mohoi akuzat, duke thënë se i ka plotësuar të gjitha kriteret për ta fituar grantin. Pacolli ka thënë se ka një kohë të gjatë që merret me bujqësi dhe blegtori, por që biznesin e tij nuk e ka pasur të regjistruar si veprimtari.
“Si fermer nuk kam pasur biznes të regjistruar, siç nuk kanë shumica e fermerëve. Të kesh biznes të regjistruar para se të aplikosh për grant nuk është kriter. Mirëpo, në momentin kur e fiton grantin, duhet patjetër të regjistrohet biznesi pasi që kontrata duhet të bëhet ndërmjet Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe biznesit (personit juridik) e jo fizik. Të gjithë ata që kanë pak njohuri rreth granteve e dinë që fillimisht kërkohet që të plotësohen kushtet e aplikimit, pastaj nëse e fiton grantin kërkohet regjistrimi i biznesit dhe në fund nënshkrimi i kontratës”, ka thënë ai.
Fitore Pacolli është kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.