Ministri Peci merr pjesë në Konferencën e Dytë për Bujqësi Organike

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci mori pjesë në Konferencën e Dytë për Bujqësinë Organike në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Evropiane të Produkteve Organike, si i ftuar nderi i kësaj ngjarje.

Në fjalën e tij të rastit, Ministri Peci tha se falë bashkëpunimit konsistentë me partnerët ndërkombëtarë dhe shoqatat vendore, po ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme për sektorin e bujqësisë organike në Kosovë.

“Kemi pesëfishuar mbështetjen për fermerët organikë, kemi rritur përkrahjen në 400%, si dhe kemi hartuar Planin Kombëtar për Bujqësinë Organike 2023-2026, duke e harmonizuar atë me standardet e BE-së dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, shtoi Peci.

Ai theksoi se përkushtimi ynë i përbashkët po jep rezultate konkrete, ku vetëm gjatë vitit 2023 janë certifikuar 520 hektarë për prodhim organik, ndërsa eksportet organike kanë arritur vlerën prej 16.5 milionë eurosh.