Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka zhvilluar një video-thirrje me Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Ambasadoren Nataliya Apostolova, për të diskutuar rreth thellimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve në prioritizimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Konkretisht, u diskutua për nevojën e mbështetjes së sektorit të bujqësisë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, rivazhdimin e procesit të akreditimit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për të ngritur transparencën në ndarjen e granteve dhe subvencioneve, si dhe në ngritjen e kapaciteteve konkurruese të të gjitha njësive të Ministrisë drejt përfitimit dhe implementimit të projekteve në kuadër të IPA III.
Ministri Mustafa falënderoi Ambasadoren Apostolova për rolin kyç që ka luajtur Zyra e BE-së në përkrahjen dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në vendin tonë dhe u zotua që ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.