Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se paralajmërimi i grevave nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka më shumë synime politike, sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor.
Ministri Murati ka thënë po ashtu se greva e paralajmëruar nga FSSHK-ja nuk është në përputhje me Ligjin për greva, ndërkaq u shpreh se kjo Federatë po shtynë përpara agjenda politike.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se që nga marrja e mandatit kanë ndarë mbi 30 milionë euro shtesë në shëndetësi, për barna esenciale, luftën ndaj covid 19, dhe së fundmi edhe për shtesat e personelit shëndetësor në vlerë prej 10% të pagës.
Ai shtoi se si Qeveri, janë të përkushtuar që të punojnë për kushte më të mira për të gjithë punonjësit, si në sektorin publik, ashtu edhe privat.
“Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund. Për më tepër, greva e paralajmëruar për nesër nga FSSHK, nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon mbajtjen e grevave, saktësisht nenet 6, 7 dhe 15 të ligjit për grevat. Me qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësor”, shkruan Murati në Facebook.
Kurse, siç thotë ai “ata që paralajmërojnë greva nuk humbin”.
“Përkundrazi, në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para”, shkruan Murati.
Murati shton tutje se gjatë fushatave krahas përfitimeve financiare, FSSHK-ja shtynë përpara agjenda politike.
“Dhe krahas përfitimeve financiare, ata shtyjnë përpara edhe agjenda politike siç kishin bërë në vazhdimësi me partitë e pushteteve të kaluara kur në kohë fushate nënshkruanin “marrëveshje” të cilat kurrë nuk i zbatuan. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”, shkruan Murati.