Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se çmimet e importit për vaj dhe grurë kanë rënë, teksa fajin për çmimet e shtrenjta ia ka hedhur LDK-së.
Sipas tij, qytetarët po vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Çmimet Tavan.
”Çmimi i furnizimit nga importi për vaj ushqimor ka rënë në 1.05 euro/litër. Çmimi i furnizimit nga importi për grurë ka rënë në 0.24 euro/kg. Ligjin për çmimet tavan, LDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese. Prandaj qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë se që do duhej për vaj, miell e bukë”, ka shkruar Murati në Facebook.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend projektligjin për çmimet tavan – që nënkuptonte vendosjen e disa çmimeve nga shteti për produktet esenciale – më pas kishte kaluar në Kuvend, por LDK-ja, si dhe partitë e tjera opozitare kishin thënë se ai ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.