Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të takohet të enjten në Antalia të Turqisë me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Pritet të jetë ky takimi i parë midis diplomatëve të lartë qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një deklaratë të shkurtër për mediat.
Agjencitë ruse të lajmeve e konfirmuan po ashtu planin.
Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ndan kufi detar me Rusinë dhe Ukrainën në Detin e Zi, është ofruar si nikoqire e bisedimeve.
Ankaraja ka marrëdhënie të mira si me Moskën, ashtu edhe me Kievin.
Ajo e ka cilësuar si të papranueshëm pushtimin rus të Ukrainës, ndonëse i ka kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë.
Kuleba ka thënë të shtunën se është i hapur për bisedime me Lavrovin, por vetëm nëse ato janë “domethënëse”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe diplomatik.