Ministri i Jashtëm i Gjermanisë: Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Presidentes Vjosa Osmani i kam shprehur edhe një herë qëndrimin e Qeverisë së Gjermanisë se është shumë e qartë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e liberalizmit të vizave. Ne do të angazhohemi sa më shumë që liberalizimi i vizave për Kosovën të realizohet sa më shpejtë”, ka thënë Maas.

Si pengesë kryesore për zhvillimin e Kosovës në rrugën euroatlantike ai e ka parë dialogun me Serbinë. Ka ofruar mbështetjen e tij për këtë teksa ka thënë se asgjë nuk mund të zgjidhet përmes vizatimeve mbi harta.

“Dua të nënvizoj qartë që çështjet që janë shprehur se çështjet mund të zgjidhen me vizatime me vija në harta, i konsiderojmë jo vetëm jorealiste, por edhe të rrezikshme. E konsiderojmë të rrezikshëm edhe diskutimin për këtë. Jam i lumtur që kjo të futet shpejt në sirtar e të jetë pjesë e një dosjeje të kalueshme”, ka shtuar Maas teksa ka ofruar mbështetje për zotimet e Qeverisë së re të Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.