Ministrat e AAK-së në Qeverinë Hoti, cili është profili i të propozuarve të Haradinajt?

LDK e ka arritur marrëveshjen për koalicion me AAK’në, duke ia dhënë hisen e ministrive. Ramush Haradinaj ka treguar se dikasterët e saj do të udhëheqin nga zyrtarët e AAK’së që s’kanë qenë më herët ministra. Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj, Selim Selimi, Blerim Kuçi dhe Ramë Likaj pritet të jenë pjesë e kabinetit qeveritar të Avdullah Hotit.

Marrëveshja për qeverisje mes LDK’së e AAK’së është arritur, e Ramush Haradinaj ka dhënë emrat e ministrave të partisë së tij.

Besnik Tahiri do të jetë zëvendëskryeministri i parë nga AAK’ja në Qeverinë që kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, po synon ta formojë.

Tahiri ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Haradinaj dhe është  sekretar i Përgjithshëm i AAK’së. Ai gjatë qeverisjes së Haradinajt ishte Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

Ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në disa palë zgjedhje

Besnik Tahiri i AAK-së tregon kur do të votohet qeveria e re ...
Besnik Tahiri

Në vend të Glauk Konjufcës, politikën e jashtme pritet ta udhëheq Meliza Haradinaj – Stublla. Ajo është pjesë e AAK’së dhe ka qenë këshilltare politike e ish-kryeministrit

Në biografinë e saj të shkurtër në rrjete sociale, Meliza Haradinaj, tregon se është këshilltare e Haradinajt, por nuk ka lidhje të gjakut me të.

Në vitin 2014 ka qenë kandidate e AAK’së për deputete, ku kishte marrë 2153 vota.

Haradinaj – Stublla studimet master i ka kryer në universitetin Oxford.

Vitin e kaluar, ajo është denuar nga Gjykata, për mosdeklarim të saktë pasurisë, gjatë deklarimit të saj si zyrtare e shtetit.

MELIZA HARADINAJ - "Deputete" në Kuvendin Komunal të Prishtinës ...
Meliza Haradinaj – Stublla

Ministrinë  e Drejtësisë, AAK’ja ia ka besuar Selim Selimit. 

Ai është ndër njerëzit më të afërt të Haradinajt së fundmi, e këtë e kishte dëshmuar kur ish-kryeministri e emëroi Selimin shef të stafit të tij, pas largimit të Avni Arifit, që ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i kreut të AAK’së ndër vite.

Selimi më parë ka qenë pjesë e kabinetit të Presidentes Atifete Jahjaga, si këshilltar ligjor i saj.

Studimet për drejtësi i ka kryer në Universitetin e Torinos dhe në Duke University në SHBA.

Selim Selimi shef i stafit të Kryeministrit
Selim Selimi

Ministrinë e Arsimit, AAK’ja ka zgjedhur që ta udhëheqë Ramë Likaj, që më parë nuk është parë në pozita politike në vend.

Likaj është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe pritet të marrë nën drejtim një prej dikasterve që konsiderohet që ka pasur rezultatet më të dobëta në Kosovë.

Ramë Likaj: Qeveria i ka trajtuar seriozisht kërkesat e SBASHK-ut ...
Ramë Likaj

Ndërkaq Ministrinë e Ekonomisë pritet ta udhëheq Blerim Kuqi. Nëse koalicioni i ri qeverisës vendos që këtë ministri ta mbajë siç e ka lënë qeverisja Vetëvendosje – LDK, i bie që Kuqi do të udhëheq Ministrinë për Ekonomi, Punësim, Tregti, Inovacione, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Megjithatë, në marrëveshjen LDK – AAK, të publikuar nga Gazeta Express, thuhet se Ministria e Ekonomisë do të jetë bashkë me atë të Ambientit.

Kuçi është pjesë e AAK’së që nga viti 2009, e deri atëherë ka qenë anëtar i LDK’së.

Kuçi ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, kryetar i Suharekës dhe Ministër i Punëve të Brendshme.

Blerim Kuçi tha se pushteti e ka vendosur bombën të Kushtetuesja ...
Blerim Kuçi

LDK dhe AAK janë pajtuar që ta formojnë koalicionin qeverisës edhe me Nismën, ARK’në, Listën Srpska dhe minoritetet joserbe. Akoma nuk janë bërë zyrtare ndarja e ministrive të subjekteve tjera. /Express/