Minatorët e Trepçës sot në ndërrimin e parë e kanë bojkotuar punën. Këtë për Kohën e ka konfirmuar nënkryetari i Sindikatës së minatorëve Destan Kërleshi.
“Sot ndërrimi i parë, në shenjë të pakënaqësie për mosrealizim të pagave të muajit të kaluar, korrikut, kanë bojkotuar punën, kanë punuar vetëm kujdestarët që duhet të jenë patjetër prezent”, ka thënë ai.
Përveç pagave, Kërleshi ka theksuar se punëtorët kanë kërkuar nga kryeshefi i ndërmarrjes, Enis Abdurrahmani, që të jetë prezent në Stantërg dhe të ju tregojë për gjendjen e ndërmarrjes. Por sipas tij ai nuk ka gjetur kohë që të jetë para minatorëve.
Ai ka theksuar se nuk e di nëse edhe punëtorët e ndërrimit të dytë, që nis në orën 16:00 do ta bojkotojnë punën.
Koha e ka thirrur Abdurrahmanin, por ai ka thënë që të është i zënë dhe ka kërkuar që të kontaktohet më vonë.
Kjo nuk është hera e parë që minatorëve të Trepçës u vonohen pagat.