Mikrofinancat në Kosovë e përmbyllin vitin 2022 me mbi 16 milionë euro fitim


Sektori mikrofinanciar në vend ka përmbyllur këtë vit me gjithsej 16.2 milionë euro fitim neto deri në muajin nëntor, prej të cilave 1.3 milionë iu shtuan vetëm për një muaj operim, mes tetorit dhe nëntorit. Krahasuar me muajin tetor 2022, kur profiti neto i institucioneve mikrofinanciare ishte 14.9 milionë euro, në muajin nëntor fitimet u rritën në 16.2 milionë euro.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Sistemit financiar, Informata mujore – nëntor 2022”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 51.2 milionë euro në këtë periudhë, prej të cilave 45.9 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërkohë, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar deri në muajin nëntor ishin në vlerën e 35 milionë eurove. Nga e gjithë kjo shumë e shpenzimeve, 18.8 milionë prej tyre ishin për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative, ndërkohë 6.9 milionë euro të tjera shkuan për shpenzime të interesit.

Ndërkaq, kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në fund të muajit nëntor arritën në 281.2 milionë euro, ku 180.0 milionë euro prej tyre u lëshuan për ekonomitë familjare, ndërsa 101.2 milionë të tjera u dhanë për korporatat jo financiare.

Në anën tjetër, norma e interesit në kredi gjatë nëntorit të këtij viti, u rrit në një përqindje prej 19.4%, nga 19.0%, sa ishte në muajin tetor.

Shifra prej 16.2 milionëve sa ishte fitimi i këtij sektori deri në fund të muajit nëntor të këtij viti, pritet të rritet më së paku edhe për 1.5 eventualisht 2 milionë euro tjera me llogaritjet e muajit dhjetor të këtij viti, të cilat ende nuk janë publikuar nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndryshe, në Kosovë funksionojnë gjithsej 30 institucione mikrofinanciare, ku 12 prej tyre janë me kapital të huaj. Numri i degëve të këtyre institucioneve në vend është 158, ndërkohë që numri i të punësuarve është 1 mijë e 284.