Mikrobiologu Lul Raka: Në fundjavë nuk do të nisë edicioni i ri në futboll

Mikrobiologu Lul Raka, pjesë e Bordit Këshillëdhënës për COVID-19, ka thënë se nuk do të ketë fillim të edicionit në futboll, në fundjavë.

“Bordi para 2-3 javësh e ka dhënë pëlqimin për nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri. Besoj se Qeveria do të vendosë shpejt. Por, nuk besoj se bëhen gati për një javë”, ka thënë Raka të hënën për KOHËN.

Klubet përgatiten për shtyrje të sezonit, FFK-ja për të nisur më 12 shtator

Madje Raka ka thënë se është në diskutim që për sezonin e ri të lejohet edhe një numër i kufizuar i shikuesve në tribuna.

“Besoj se do të diskutohet edhe kjo çështje. Mund të ketë ide për numër të kufizuar shikuesish, varësisht sipas situatës epidemiologjike. Për fillimin e sezonit është FFK-ja që vendos, kurse klubet duhet respektuar të njëjtat masa parandaluese të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë”, është shprehur Raka.