Gentjan Mezani më nuk është trajner i skuadrës së Gjilanit. Ekipi i Superligës së Kosovës, të hënën ka njoftuar se kryesia e klubit ka pranuar dorëheqjen e trajnerit në takimin e mbajtur.
Largimi i Mezanit nga Gjilani vjen një ditë pas humbjes në derbi kundër Dritës me rezultatin 3:2. Klubi i Gjilanit ka falënderuar trajnerin Mezani për punën dhe rezultatet e arritura, si dhe i ka dëshiruar suksese në karrierë.
Pas largimit të Mezanit, ekipi do të udhëhiqet nga drejtori sportiv i klubit, Sallah Sherifi. Mezani në mars të vitit të shkuar mori drejtimin e Gjilanit, që edicionin e fundit doli nënkampion i Kosovës dhe u paraqit për herë të parë në kupat evropiane. Këtë sezon, Gjilani zë vendin e katërt në tabelë, me 23 pikë të tubuara pas 14 ndeshjeve të zhvilluara në Superligë.