Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se shpreson që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të gjejë guximin dhe të nënshkruajë sa më shpejt marrëveshjen me Kosovën, pasi siç u shpreh ai, koha nuk mund të kthehet pas.
Meta shkroi në Facebook të martën se teksti i marrëveshjes ka elemente pozitive, ndërsa tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i përgatitur dhe konstruktiv në takim.
“Mbrëmë në Bruksel ishte një mundësi e mirë për të hedhur një hap të qëndrueshëm e pozitiv drejt njohjes së ndërsjellë, paqes dhe integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë. Teksti zyrtar i marrëveshjes pati elemente që meritojnë vlerësim pozitiv, përderisa palët zotohen që të udhëhiqen nga synimet e parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, sidomos ato për barazinë sovrane të Shteteve, respektimin e Pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, si dhe të Drejtën për Vetëvendosje. E përgëzoj kryeministrin e Kosovës, z. Kurti, që kishte shkuar i përgatitur dhe konstruktiv”, deklaroi Meta, njëherit kryetar i Partisë së Lirisë.
Ai tha se e ardhmja e rajonit nuk është te “Ballkani i Hapur” e as te “tërheqjet e veshëve”, por te marrëveshjet e drejta, transparente, që sipas Metës, konkretizojnë integrimin evropian.
“E ardhmja e rajonit tonë nuk është te skemat dhe taktikat si puna e “Ballkanit të Hapur”, as te “tërheqjet e veshëve” por te marrëveshjet e drejta, transparente, që konkretizojnë integrimin europian dhe i hapin rrugën fqinjësisë së mirë, ku asnjë fqinj nuk e dominon tjetrin”, u shpreh ai.
Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se askush nuk duhet ta akuzojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për tradhti, duke shtuar se ai ka bërë gjënë e duhur të hënën në Bruksel.
Rama ka shkruar të martën në Twitter se Kurti ka hedhur një hap drejt daljes nga kurthi i së djeshmes.