Meta për ngjarjen në Velipojë: Plazhet dhe qendrat e qyteteve nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar për ngjarjen që ka ndodhur në Velipojë mbrëmë ku pas një përplasje me armë zjarri janë vrarë katër persona dhe janë plagosur dy të tjerë.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se kjo është një ngjarje tronditëse që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve.

“Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikëqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale”.

“Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj”.

Meta ka deklaruar se plazhet dhe qendrat e qyteteve të Shqipërisë nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”.

“Ndaj në këtë situatë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit dhe që çdo ditë prodhon fatkeqësisht viktima, secili autoritet i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga propaganda cinike, që nuk mund të mbulojë të vërtetat, që i shohim të gjithë. Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve”, ka thënë Meta.