Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot në Shkup se nuk mund të jetë zgjidhje rivizatimi i kufijve, sepse kjo çështje është provuar, ka dështuar dhe ka qenë një katastrofë për rajonin.
Duke folur para studentëve dhe pedagogëve të universiteteve shqiptare me ftesë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, presidenti Meta mbajti një ligjëratë me temë “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat” ku dha disa mesazhe.
Ndër to, Kreu i Shtetit theksoi se e vetmja zgjidhje për rajonin është respektimi i të drejtave të të gjitha minoriteteve nga kushdo, në mënyrën e duhur dhe në respekt të standardeve europiane.
Statusi i presidentit Ilir Meta:
“Në rajonin tonë, nuk ka kombe të mëdha dhe kombe të vogla.
Në rajonin tonë duhet të ketë vlera europiane, që mbrohen dhe respektohen njësoj nga të gjithë.
Nuk mund të jetë zgjidhje rivizatimi i kufijve, sepse kjo çështje është provuar, ka dështuar dhe ka qenë një katastrofë për rajonin.
E vetmja zgjidhje, është respektimi i të drejtave të të gjitha minoriteteve nga kushdo, në mënyrën e duhur dhe në respekt të standardeve europiane. Kjo do të garantonte dhe konsolidonte paqen, stabilitetin, sigurinë, do të forcojë bashkëjetesën ndëretnike dhe do të përmirësojë klimën e biznesit dhe besimin tek e ardhmja”, deklaroi Presidenti Meta, i cili e ka ndarë këtë mesazh edhe në “Facebook”.