Një ditë pas Konventës kombëtare, ku ndryshoi edhe emrin e partisë që themeloi vite më parë, Ilir Meta tha se sot i hapim rrugë një partie të re politike, Partia e Lirisë.
I zhveshur tashmë nga kostumi I presidentit, Meta nuk kurseu akuzat ndaj qeverisë, për të cilën tha se ka vetëm një axhendë, atë antikombëtarë. Megjithatë edhe për Ilir Metën korrupsioni mbetet një problem kryesor për vendin.
“I hapëm një rrugë të re një force të re politike si partia e lirisë. Falenderoj intelektualët që i janë bashkuar që në mbrëmjen e parë, si Agim Nesho. Janë të pritur të gjithë ata që mendojnë se nuk mund të rrijnë indiferent, indiferenca është aleati kryesor i kleptokracisë . Tani duhet të fillojmë nga puna, për fat tani nuk e kemi më kostumin që na sillte pyetjen: A i lejohet të flasë kështu një presidenti? Tani jemi pa xhaketë, sot e deri në ditën e triumfit.
Armiku kryesor sot i lirisë është korrupsioni. Është ky korrupsion që e ka rënduar situatën e cdo qytetari. Edhe dje barometri i Ballkanit ka konstatuar se 59% e qytetarë kanë problemin më madhor situatën ekonomike.
Qytetarët nuk u mbështetën aspak nga qeveria e tyre gjatë pandemisë. Gjithë barra e rëndë e këtyre krizave padyshim është paguar nga familjet e thjeshta shqiptare.
Ndërkohë ajo që është edhe më e qartë dhe e papranueshme, qeveria vijon paguan për inceneratorët, koncensione grabitqare, merr borxhe për të mbështetur oligarkët. Kjo situatë e rëndë provohet edhe nga skandalet më të fundit.
I bëj thirrje Ramës të heqë arkëtarin e partisë nga doganat, dhe bandën e patronazhistëve në dogana e tatime. Kjo qeveri që vetëm synon të vjedhë e grabisë, ua bën qytetarëve edhe më të pashpresë të ardhmen. Kjo qeveri ka vetëm një axhendë antikombëtare.” u shpreh Meta.