Presidenti shqiptar, Ilir Meta dekretoi sot dy ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, të cilët iu dërguan një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.
Kështu Meta dekretoi fillimisht shkarkimin e Sandër Lleshaj nga Ministër i Brendshëm dhe shkarkimin e Bledi Çuçit nga Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Meta gjithashtu dekretoi emërimin e Bledi Çuçit në postin e Ministrit të Brendshëm dhe Milva Ekonomit në postin e ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ndryshimet vijnë pas dorëheqjes së Lleshajt.
Çuçi mbante postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prej janarit 2019.
Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të mandatit të parë të qeverisë Rama.
Ndërkohë, Milva Ekonomi është aktualisht kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Më herët, Milva Ekonomi ka mbajtur edhe postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. /ATSH/