Leo Messi rezultoi pozitiv me Covid-19 në ditën e parë të vitit 2022. Ylli i PSG-së humbi takimet ndaj Vannes në Kupën e Francës dhe atë kundër Lyon në Ligue 1.
“Pleshti” ka reaguar me anë të një postimi në “Instagram”, aty ku qetëson tifozët e shumtë dhe deklaron se është afër rikthimit në fushën e blertë.
“Siç e dini, unë kam pasur Covid-19 dhe doja t’u falënderoja për të gjithë mesazhet që më keni dërguar. Koronavirusi më mori më shumë kohë se sa mendoja, por pothuajse jam shëruar dhe mezi po pres të rikthehem në fushë.
Jam stërvitur këto ditë për të mos e humbur formën. Na presin sfida shumë të bukura këtë vit dhe uroj të shihemi sa më shpejt. Faleminderit”, shkruan gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë”.
Messi po luan sezonin e parë me PSG-në, deri tani ka realizuar një gol në kampionat dhe pesë në Champions League, dhe objektivi i madh është triumfi në kompeticionin më të rëndësishëm me ekipin francez.