Gazeta spanjolle Cadena Ser raporton se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është i lodhur nga akuzat dhe fajësimi për të gjitha problemet në klubin katalonas dhe dëshiron të largohet në fund të kontratës së tij aktuale.
Lionel Messi i ka ndërprerë bisedimet me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës së tij, sipas Cadena Ser. Negociatat dukej se po shkonin mirë, sipas bisedave të para mes babait të futbollistit dhe presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, tani argjentinasi po planifikon të largohet nga klubi katalonas sapo t’i përfundojë kontrata aktuale, në qershor të vitit 2021.
Messi e kishte opsionin për t’u larguar nga Barcelonës edhe më 10 qershor të këtij viti, thjesht duke zgjedhur ta bëjë këtë. Megjithatë, ai vendosi të mos e shfrytëzojë këtë klauzolë në kontratën e tij, të cilën e nënshkroi në nëntor të vitit 2018 dhe që është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021.
Sipas Cadena Ser, Messi është i lodhur nga të gjitha problemet që e rrethojnë klubin, lajmet e dala nga brenda klubit, atmosfera e “çuditshme” në zhveshtore dhe, mbi të gjitha, faktin që disa drejtorë në klub e fajësojnë atë për gjithçka që shkon keq në Camp nou.
Messi ia ka treguar rrethit të tij të afërt për këtë pakënaqësi, duke u ankuar se ai nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për asgjë më shumë sesa paraqitjet e veta në fushën e lojës. Ai madje i ka ndarë planet e tij për të ardhmen me disa lojtarë kyç të Barcelonës.
Messi fillimisht ishte menduar se do të qëndronte edhe më tutje në Barcelonë, por tani ai raportohet se e ka ndryshuar mendjen. Ai e ka shprehur bindjen e tij se Barcelona s’mund ta fitojë Ligën e Kampionëve me këtë skuadër që e ka dhe tani që Real Madridi po shkon drejt titullit të kampionit, Messi po fillon ta shohë fundin e karrierës së tij në Barcelonë.