Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, i ka paralajmëruar kundërshtarët e vet se lufta për titull në këtë sezon të Superligës mund të ketë përfunduar, por jo edhe lufta e skuadrës së tij në vitet në vazhdim.
Munishi e udhëhoqi Ballkanin drejt një lufte të nxehtë për titull deri në javën e parafundit të sezonit 2019/20, megjithëse askush se vlerësoi të denjë për të luftuar për tituj në fillim të kampionatit.
Klubi nga Suhareka do ta mbyllë sezonin të paktën në top katërshe në Superligë kur e pret kampionin e saposhpallur, Dritën, në ndeshjen e fundit në ligë, dhe për më tepër ka mundësi ta fitojë një trofe, Kupën e Kosovës, javën e ardhshme kur të takohet me Prishtinën në finale.
Fitimi i kupës do ta dërgonte edhe në kualifikime për pjesëmarrje në Ligën e Evropës, që do të ishte një sukses i paparashikueshëm për Ballkanin.
Loja e skuadrës së Munishit është vlerësuar nga shumë si më e mira këtë sezon në Superligë, edhe pse për pak dështoi ta fitonte titullin.
Dhe Munishi zotohet se ai dhe skuadra e tij do të vazhdojnë të luftojnë për gjëra të mëdha në futbollin vendor.
Në një postim falënderues në llogarinë e vet në rrjetin social Facebook, Munishi i falënderoi shumë njerëz në klubi e tij dhe i paralajmëroi kundërshtarët.
“Sot është ndeshja e fundit e sezonit fantastik që pata me Fc Ballkanin. E falemderoj Presidentin Arsim Kabashi per besimin dhe bashkpunimin fantastik qe patem gjatë ketij viti. Kryetarin e Komunes se Suharekes Bali Muharremaj njeri fantastik dhe mik i imi. Bashkpuntoret Agim Maliqin Ardian Bashen dhe Fuat Shabanin ( Furra ). Doktoret Kastriotin dhe Krenarin për punën e tyre të pa lodhshme gjatë këti viti. Ekonomin Meritonin Drejtoret e klubit të gjithë. Xhebrailat i falemderoj me Liderin e tyre Korab Elshani. Qytetaret e Suharekes për rrespektin dhe mbeshtetjen maksimale. Gruan time Flutra Hoxha Munishi për përkrahje të pa imagjinueshme”, shkroi Munishi në Facebook.
“Dhe natyrishtë futbollistët e mi me Kapitenin Visar Berishën ne krye , te cilet e dhanë 200 % qe ne të jemi skudra me fantastike e kampionatit , ju dua shumë”.
Paralajmërimi i tij për kundërshtarët: “Ni mesazh për ekipet e super ligës (Nëse ëndërroni se na keni mundur , zgjohuni nga gjumi dhe kërkoni falje), lufta vazhdo”.