Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë sot se e mirëpret marrëveshjen për targat të arritur dje në Bruksel.
Megjithatë, ai pati edhe kritika për qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, pasi siç tha në kuvend, u shkaktua dramë “pa pikë nevoje”.
“Në mes të dramës pa pikë nevoje që i keni shkaktuar vendit, ne e mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen që shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial në veri”.
Ai i tha Kurtit se këtë ka mundur ta bëjë vet, duke u dakorduar me ShBA-të.
“Ke mundur ta bësh këtë vet që e bërë në Bruksel, duke u dakorduar me ShBA-të dhe duke ua marrë për bazë këshillën që e kishe për më shumë se 4-5 javë në tavolinë, nga Escobar por edhe nga Blinken. Fatkeqësisht duke mos bërë një gjë të tillë, ke shprehur një pafuqi të Kosovës, duke ndjell panik e frikë, dhe jo veç në veri”.
Krasniqi poashtu pyeti qeverinë nëse do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës.
“A do të ketë normaliteti në veri siç ka pasur, s’mund t’i ktheni eprorët por a do të kthehen një pjesë e tyre në administratë e institucione të tjera?”, tha ai.