A është e mundur ta pastroni trupin nga toksinat? Po. Jo përmes suplementeve të shtrenjta dhe të pakuptimta, por duke mbështetur shëndetin e organeve tuaja.
Nëse e keni një mëlçi që funksionon, veshkat që punojnë mirë dhe mushkëri të shëndetshme, trupi juaj tashmë ka ekuilibrin që i nevojitet.
Këto janë pesë mënyra për ta ruajtur shëndetin e mëlçisë dhe veshkave:
Konsumoni shumë ujë
Pirja e ujit është e rëndësishme për shëndetin e veshkave. Uji i ndihmon veshkat t’i largojnë mbetjet nga gjaku. Trupi i nxjerr këto mbetje dhe lëngje të tepërta në formën e urinës që udhëton në fshikëz përpara se të largohet nga trupi. Uji gjithashtu ndihmon në mbajtjen e arterieve të hapura në mënyrë që gjaku të rrjedhë lirshëm në veshka. Ky gjak jep oksigjen dhe lëndë ushqyese që ndihmojnë funksionimin e veshkave. Dehidratimi e bën më të vështirë funksionimin e këtij sistemi shpërndarjeje.
Hani produkte me vlera të larta ushqyese
Ushqimet që i hani kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në shëndetin e mëlçisë. Mëlçia është një nga organet e vetme që mund të rigjenerohet. Nëse keni infeksion ose dëmtim të mëlçisë, është e mundur që nëse jetoni një mënyrë jetese të shëndetshme dhe hani ushqimet e duhura, mëlçia juaj mund të shërohet vetë. Për këtë, ekspertët shëndetësorë ua rekomandojnë ngrënien e një diete mesdhetare, kjo ngase përfshinë më shumë fruta, perime, drithëra, arrore, bishtajore, mish pa dhjamë, më pak mish të kuq dhe më pak ëmbëlsira dhe sheqerna të shtuar.
Mbajeni një peshë të shëndetshme
Yndyra e tepërt është e dëmshme për shëndetin e mëlçisë, thonë ekspertët. Për shkak të rritjes së epidemisë së obezitetit, prevalenca e sëmundjes së mëlçisë yndyrore joalkoolike po rritet me shpejtësi, dhe pritet ta kapërcejë hepatitin C, si shkaktari kryesor për transplantimin e mëlçisë në 30 vitet e ardhshme.
Bëni gjumë të mirë
Sasia e duhur e gjumit, të paktën 7 orë në ditë, është tepër e rëndësishme për shëndetin e mëlçisë. Njerëzit me gjumë të dobët gjatë natës dhe dremitje të zgjatur gjatë ditës, kanë rrezikun më të lartë për zhvillimin e sëmundjes së mëlçisë yndyrore.
Bëni aktivitet fizik
Ushtrimet e rregullta fizike janë çelësi për ta mbështetur shëndetin e mëlçisë. Kur shoqërohet me një humbje modeste në peshë, prej të paktën 7 për qind të peshës trupore, aktiviteti i rregullt fizik mund ta përmirësojë edhe indin e mbresë (fibrozë) në mëlçi.