Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se në bashkëpunim të të gjitha njësiteve përkatëse është realizuar me sukses operacioni për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve në zonën e Shtupeqit në Rugovë.
Kështu ka bërë të ditur Mehaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Që nga dje dhe pa ndërprerë edhe gjatë natës dhe ditës së sotme, njësitet e FSK-së në koordinim dhe bashkëveprim me njësinë e helikopterëve të KFOR-it, njësitet e zjarrëfikjes së komunave të Pejës, Deçanit, Gjakovës, Klinës dhe Junikut si dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, kanë realizuar me sukses operacionin për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve në zonën pyjore të Shtupeqit të Madh në rajonin e Rugovës”, ka shkruar ai.
Ai ka ftuar “banorët e zonës përkatëse por edhe zonave e rajoneve tjera kudo në vend, që mos të shqetësohen, dhe në rast të ndonjë rishfaqje të zjarreve të njoftojnë menjëherë autoritetet lokale dhe mbështetja dhe reagimi ynë do të jetë i menjëhershëm me të gjitha kapacitetet në dispozicion”, ka shkruar ministri Mehaj.