Më shumë maska se gola për Kylian Mbappe në Euro 2024

Kylian Mbappe ka pasur më shumë maska se gola në Euro 2024. Kapiteni i Francës ka pasur telashe për të shikuar anash, me maskat që i janë vënë për t’ia mbrojtur hundën e thyer në ndeshjen e parë në Gjermani.

Në fitoren 1:0 ndaj Belgjikës, të hënën, Mbappe mbajti maskën e tretë të ndryshme. I kishte pesë tentime të pasuksesshme për gol.

Golin e vetëm deri më tani në Evropian e ka realizuar nga penalltia.

“Është djersa dhe ne e dimë që djersa mund të hyjë në sytë e tij. Ai po mësohet me këtë, por mund të ketë ndikim në vizionin e tij”, tha selektori  Didier Deshamps.

“Me shikimin para çdo gjë është në rregull. Por ka vonesë me pamjen periferike”.

Mbappe e ka përshkruar paraqitjen me maskë si “tmerr i plotë”.

Mbappe fillimisht u pa me një maskë me flamur francez. UEFA nuk e lejoi atë, pasi duhej të ishte vetëm njëngjyrëshe. Ndaj Polonisë luajti me një maskë të zezë.

Maskën e ndryshoi për ndeshjen ndaj Belgjikës, ndërsa ajo dukej më e përshtatshme për formën e fytyrës së sulmuesit. Por sërish kishte telashe.