Sot u raportua se dy kosovarë nga Komuna e Suharekës kanë tentuar të kalojnë kufirin në Ukrainë, për të luftuar përkrah luftëtarëve ukrainas kundër atyre rusë.
Por, pjesëmarrja në luftime të huaja jashtë shtetit të Republikës së Kosovës është i dënueshëm me Ligjin që ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2015, i cili parasheh që shkelësit e këtij Ligji të dënohen me 3-15 vite burgim.
Në anën tjetër, organizimi apo udhëheqja e grupeve për dërgim me qëllim lufte ne shtetet tjera dënohet me 5-15 vite burg efektiv.
Në një prononcim të mëhershëm të avokatit Asdren Hoxha për lajmi.net, i njëjti kishte konfirmuar se pjesëmarrja në luftëra të huaja është në kundërshtim me Ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në lufta të huaja jashtë vendit, sipas Ligjit 05/L-002, organizimi dhe udhëheqja janë të dënueshme nga 5-15 vite burgim. Ndërkaq, pjesëmarrja e thjeshtë dënohet nga 3-15 vite burgim”, kishte deklaruar ai.
Për interesimin e kosovarëve që të marrin pjesë në luftën Ukrainë-Rusi, ishte deklaruar më parë edhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, i cili kishte thënë se disa qytetarë nga Kosova i kanë kërkuar atij mënyra se si të shkohet në Ukrainë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, gjithashtu kishte deklaruar se Kosova dhe vendet e rajonit po rekrutojnë militantë për në Ukrainë, por kjo deklaratë ishte përgënjeshtruar nga shefi i Kabinetit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela.
“Akuza e rreme e Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Lavrov, se #Kosova po dërgon mercenarë në Donbass, është pjesë përbërëse e fushatës dezinformuese që kërkon të justifikojë agresionin ushtarak kundër #Ukrainës. Kosova përkrah aleatët e saj dhe Ukrainën në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë”, kishte deklaruar Vela në Twitter.