Me rezolutë kërkohet nga Qeveria ta shfuqizojë vendimin për Task-Forcën antikorrupsion

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka hapur interpelancën e Kuvendit të Kosovës të thirrur nga ky subjekt politik për raportimin e Avdullah Hotit, kryeministrit të vendit rreth shfuqizimit të Task-Forcës brenda Policisë së Kosovës.

Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se shfuqizimi i kësaj Task-Force është sinjal që luftimi i korrupsionit nuk është prioritet dhe se tentohet të të pengohet në tërësi, njofton Klan Kosova.

“Ky vendim i shfuqizimit i shërben mirëmbajtjes së instaluar nga sistemi korruptiv i ushqyer nga të gjitha qeveritë para qeverisë Kurti. Transparenca është pika efikase kundër korrupsionit, si duket kjo Qeveri e ka keqkuptuar transparencën e të qenit i sinqertë”.

Ajo ka shpalosur edhe pikat që ata i propozojnë për miratim në rezolutën e kësaj interpelance.

” Rezoluta për miratim përmban tre pika: 1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të shfuqizojë vendimin 06\36 për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion në Policinë e Kosovës”.

“2. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të mos pengojë punën e Task-Forcës Antikorrupsion në Policinë e Kosovës”.

“3.Kuvendi dënon çfardo presioni apo ndikim nga zyrtarët institucional ndaj Task-Forcës”.