Më pak politikë në rrjetin social Facebook

Kompania Facebook njoftoi se do të publikojë më pak lajme politike. Kjo masë është në përputhje me planin e shefit të kompanisë, Mark Zuckerberg për të ulur përmbajtjen tendencioze. 

Rrjeti më i madh social tha se do të fillonte testimin e algoritmave të ndryshuar “për një përqindje të vogël të njerëzve” në Kanada, Brazil dhe Indonezi këtë javë dhe Shtetet e Bashkuara në javët e ardhshme.

“Gjatë këtyre testeve fillestare do të shqyrtojmë mënyra të ndryshme për të renditur përmbajtjen politike”, tha njëra ndër menaxheret në Facebook, Aastha Gupta.

Ndryshimi nuk do të ndikojë në informacionin në lidhje me pandeminë e COVID-19 dhe përmbajtjen nga organizatat globale të shëndetit ose nga agjencitë zyrtare qeveritare.

“Një reagim i rëndomtë që e dëgjojmë është se njerëzit nuk duan që përmbajtja politike të mbizotërojë News Feed-in e tyre”, tha Gupta.

Vendimi vjen në përiudhën kur Facebook dhe platformat tjera sociale po përballen me kritika për mundësinë e keqinformimit dhe manipulimit politik, veçanërisht gjatë periudhave të zgjedhjeve.

Zuckerberg tha muajin e kaluar se Facebook po kërkon të “ulë temperaturën” në platformën e tij të gjerë duke zvogëluar llojin e bisedave politike përçarëse dhe tendencioze.