Koronavirusi ka prekur rëndë Përfaqësuesen e Kosovës në Futboll, përkatësisht anëtarët e saj. Javën e kaluar pozitiv në testimin për COVID-19 doli selektori Bernard Challandes. Lojtarët ishin testuar disa herë, por rezultati, sipas FFK-së, doli negativ, ndonëse kishte simptoma te disa prej tyre. Në fakt ata ishin testuar para secilës ndeshje, pra plot tri herë. Dhe secilën herë rezultati i të gjithëve ishte negativ.
Por situata po del të jetë më ndryshe pas kthimit të lojtarëve në vendet ku luajnë. Të premten u njoftua zyrtarisht se qendërmbrojtësi Amir Rrahmani është me koronavirus. Ai është testuar pas kthimit te Napoli.
“Pas testimeve të kryera sot në mëngjes, pas rikthimit nga detyra me kombëtare, Amir Rrahmani ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Lojtari, që s’ka qenë në kontakt me grupin tjetër të lojtarëve, do të kalojë një periudhë kohore i izoluar në shtëpi”, thuhej në njoftimin e Napolit.
Rrahmani kishte pasur shqetësime shëndetësore gjatë grumbullimit te Kosova. Por testi e nxori negativ.
Testimi pozitiv mund të prishë shumë punë për mbrojtësin e qendrës. Rrahmani ende nuk ka debutuar për Napolin në Serie A dhe tani gjendja e tij do të rëndohet. Madje ai në ndeshjen ndaj Moldavisë, të mërkurën, lëndoi krahun dhe u zëvendësua pas 20 minutave lojë.
Ndërkohë edhe Torino njoftoi se dy lojtarë të kësaj skuadre, që ishin me përfaqësuese, kanë dalë pozitivë për koronavirus. Njëri prej tyre është mbrojtësi i djathtë i Kosovës, Mërgim Vojvoda. Te Torino luan edhe kapiteni i Kosovës, portieri Samir Ujkani. Ujkani ishte aktivizuar ndaj Moldavisë.
“Po, kam pranuar rezultat pozitiv në testin për COVID-19”, ka konfirmuar Vojvoda për KOHËN.
Selektori Challandes pasi rezultoi pozitiv u vetizolua në Durrës dhe nuk arriti ta udhëheqë ekipin në asnjërën prej ndeshjeve. Ai të premten është kthyer në shtëpinë e tij në Zvicër.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) kanë mbetur të befasuar me rastet e Rrahmanit dhe Vojvodës, të cilët rezultuan pozitivë me t’u kthyer tek ekipet e tyre. Madje kreu i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se të gjithë lojtarët ishin të karantinuar gjatë kësaj periudhe, kanë pasur vazhdimisht kujdesin e mjekëve dhe u janë nënshtruar tri testimeve para ndeshjeve, siç është edhe me protokoll.
“Ne i jemi përmbajtur vazhdimisht protokollit dhe mund të them se kujdesi ka qenë maksimal. Futbollistët tërë kohën ishin në karantinë dhe nuk e kanë pasur vetëm një staf, por dy stafe të mjekëve që vazhdimisht janë kujdesur për shëndetin e tyre. I kemi bërë tri teste dhe asnjëri nuk ka dalë pozitiv”, është shprehur Ademi të premten.
“Po shihet që situata me virusin është e paparashikueshme dhe mund të infektohesh edhe gjatë udhëtimit. Masat ishin strikte dhe sinqerisht po habitem se si kanë rezultuar Amiri e Mërgimi pozitivë. Për momentin të tjerët nuk kanë rezultuar pozitivë prej lojtarëve që janë kthyer në klubet e tyre”.
Edhe ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti, i cili udhëhoqi Kosovën në ndeshjet e këtij muaji, ka thënë se ka mbetur i befasuar kur ka kuptuar se dy futbollistët, Rrahmani e Vojvoda, kanë dalë pozitivë derisa gjatë grumbullimit të gjithë ishin negativë. Ai ka thënë se gjatë grumbullimit dhjetëditor i gjithë stafi i është nënshtruar tri herë testimit për koronavirus, ashtu siç kërkohet nga UEFA. Sahiti ka shtuar se duket që virusi nuk mund të kontrollohet dhe se simptomat mund të shfaqen pas disa ditësh.
“Gjatë grumbullimit që e patëm, u jemi nënshtruar testeve tri herë para secilës ndeshje dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Ata që ishin pozitivë janë karantinuar, por jo edhe futbollistët që ishin mirë dhe u janë përmbajtur masave të caktuara. Mirëpo po shihet qartazi se në këtë situatë virusi nuk mund të kontrollohet pavarësisht të gjithave që i kemi bërë”, ka thënë Sahiti.
“Tash për tash vetëm Amiri e Mërgimi kanë rezultuar pozitivë derisa të tjerët jo dhe nuk po mund ta kuptoj. Por, shpresoj që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë, sepse nuk po është lehtë për askënd”.
Kosova këtë muaj i luajti tri ndeshje, një miqësore dhe dy në kuadër të Ligës C, të Ligës së Kombeve. Pësoi humbje nga Shqipëria në miqësoren e luajtur në Elbasan derisa u mposht në udhëtim edhe nga Sllovenia përpara se të triumfojë ndaj Moldavisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për Kosovën kjo ishte fitorja e parë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Përfundoi e treta në grup me pesë pikë. Kosova edhe edicionin tjetër do të luajë në Ligën C të kësaj gare.