Njëzetë anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme të Europës, kanë reaguar lidhur me mbylljen e kopshtit të kolegjeve “Turgut Ozal” në Tiranë si edhe mbylljen e kolegjit të vajzave “Mehmet Akif”.
Ky vendim i MAS është cilësuar nga anëtarët si një shembull i përdorimit të autoritetit publik për qëllime politike.
Në reagim specifikohet se juristët, akademikët dhe shoqëria civile, e cilësojnë një vendim të tillë si arbitrar dhe se shkak për marrjen e vendimit është bërë presioni nga autoritetet turke.
Deklarata vijon duke nënvizuar se presidenti turk Erdogan, përdori peshën e zyrës së tij për t’i kërkuar autoriteteve shqiptare mbylljen e shkollave të themeluara nga një grup i caktuar shtetasish turq.
Mes të tjerash në reagim Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i bën thirrje Shqipërisë që të repektojë shtetin e së drejtës dhe thekson se do ta ndjekë këtë rast.
Reagimi:
Shqipëria, një shembull i fundit i përdorimit të autoritetit publik për qëllime politike
Më 22 shtator 2022, qeveria shqiptare anuloi dy institucione arsimore turke për shkak të një procedure të pretenduar zhvendosjeje. Kjo mbyllje u vlerësua nga juristët, akademikët dhe shoqëria civile si një vendim arbitrar i qeverisë shqiptare për shkak të presionit të autoriteteve turke.
Për më shumë se shtatë vjet, politika e jashtme turke e bëri misionin e saj mbylljen e institucioneve arsimore të perceptuara si të sikletshme për qeverinë Erdogan. Presidenti turk përdori peshën e zyrës së tij për të kontaktuar autoritetet shqiptare dhe qeveritë e tjera duke kërkuar mbylljen e shkollave të themeluara nga një grup i caktuar shtetasish turq, të cilët ishin në opozitë. Këto përpjekje për mbylljen e shkollave u pasuan shpesh me rrëmbime dhe ekstradime të paligjshme. Rastet e rrëmbimit të mësuesve turq kanë ndodhur në të njëjtin skenar në Republikën e Moldavisë (shih Doc. 14649“Thirrja e Republikës së Moldavisë për të rivendosur sundimin e ligjit”) dhe kanë çuar në dënimin e vendit nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ne jemi të shqetësuar që Shqipëria, si vend kandidat për në BE, nuk respekton shtetin e së drejtës duke vendosur politikisht nën presionin e jashtëm.
Asambleja Parlamentare duhet ta ndjekë këtë rast dhe t’i bëjë thirrje Shqipërisë të respektojë shtetin e së drejtës.Deklarata-KiE /Gazeta Express/