Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin për mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy”, pjesë e fondacionit Gulistan, një ditë më parë.
Në një postim në Twitter, Rama ka shkruar se është zbatuar ligji në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë.
“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një licence shkolle si plot të tjera më parë”, shkruan Rama.
“Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës”, ka shtaur ai.
Shqipëria urdhëron mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif”
“Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”, tha Rama.
Edhe ministrja shqiptare e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar sot pas interesimit publik në lidhje me vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit turk.
ministrja Kushi shprehet se shkolla jopublike ka kryer një sërë shkeljesh të ligjeve në fuqi.
Sipas ministres, drejtuesit e kolegjit kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise, të pamiratuara nga ministria.
Ata nuk i kanë përmbushur kriteret dhe pas dy verifikimesh, dhe në këto kushte, është e drejta e autoriteteve të revokojnë licencën.
Më tej, Kushi siguron se do të merren masat që nxënësit e kësaj shkolle të transferohen në shkolla që përmbushin kriteret.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.