Është mbyllur aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive, katër ditë pasi u hap kjo thirrje
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka thënë se e ka mbyllur thirrjen e dytë “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit” për shkak se është përmbushur numri.
“Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të 1333 aplikimeve në vlerë prej 4,998,871.79€, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve dhe kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% shtesë për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”, thuhet në njoftim.
Më tej, Fondi ka njoftuar se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre dhe shpejt fillon shpërndarja e letrave të para-aprovimit.
“Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument (para-aprovimin) duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë”.
Punimet fillojnë pas para-aprovimit dhe përfundojnë më së largu deri më 31 dhjetor.