Mbrojtja e ish-kryekuvendarit Kadri Veseli mohon të gjitha akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të cilat rëndojnë mbi të. Në publikimin që daton më 28 tetor të vitit 2022, mbrojtja thotë se asnjë rast ndaj Veselit nuk qëndron.
“Është qartësisht e pamjaftueshme për ZPS-në që të dëshmojë që krimet e kryera nga anëtarë individualë të UÇK-së (ose grupe individësh të tillë) të cilin ishin (ose mund të kenë qenë) duke operuar në nivel lokal janë kryer për qëllime të tyre. Në mënyrë që të ketë sukses mbi këtë element fondamental të rastit të saj, Dhomat e Specializuara duhet të dëshmojnë që krimet e pretenduara janë kryer në pajtim me një marrëveshje të qendërzuar, në nivel të Shtabit të Përgjithshëm, që kryerjen e krimeve kundër civilëve ta kishin pasur si qëllim të menduar ose si pasojë e natyrshme dhe e parashikueshme”, thotë mbrojtja.
Andaj, sipas mbrojtjes, “thjesht nuk ka bazë” që kjo “inferencë e sugjeruar” që krimet e pretenduara janë kryer me thirrjen e Shtabit të Përgjithshëm ose në dijeninë e tyre. “Vetëm fakti se një krim i pretenduar është kryer nga një vullentar (ose vullnetarë) i (të) UÇK-së qartësisht është e pamjaftuehsme për këtë rast”, argumenton mbrojtja, përcjell Insajderi.
Mbrojta vlerëson se ZPS e kanë “keqkuptuar dhe keqkarakterizuar” rolin e Shtabit të Përgjithshëm brenda UÇK-së. “Gabimisht përshkruan UÇK-në si një organizatë ‘poshtë-lart’, që operacionalisht kontrollohej nga Shtabi i Përgjithshëm në të gjitha kohërat relevante”.
Për më tepër Mbrojtja e Veselit rikujton se dy Dhoma Gjyqësore në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Ish-Jugosllavi, kishin vlerësuar se “Shtabi i Përgjithshëm (i ashtuquajtur) ishte përbërë nga grupe individësh të shpërndarë të cilët nuk kishin shtab të definuar, nuk e njihnin njëri tjetrin; dhe nuk komunikonin gjatë tërë kohës me njëri tjetrin; rrallë ose kurrë takoheshin dhe jo tërë kohën ishin në Kosovë”.
Ushtarët e UÇK-së ishin vullnetarë dhe i përgjigjeshin komandave lokale, pohon mbrojtja, dhe se ato këto luftëtarë vullnetarë po i bashkëpërgjigjeshin kampanjës së krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Supozimet e bazuara mbi marrëdhënie të komandës në forca konvencionale të një Shteti, nuk qëndrojnë si të vërteta për marrëdhëniet mes të ashtuquajturit Shtab i Përgjithshëm, komandantëve të vetë-emëruar, dhe kryerësve individual të pretenduar në terren”. /Insajderi/