Me tone të forta kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë folur mbrojtja e katër ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte.
Në seancën e dhjetë paragjyqësore, në rastin ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, i pari që ka adresuar kritika ndaj hetuesisë ka qenë mbrojtësi i ish-presidentit.
Avokati Gregory Keohe ka përmendur një dëshmi të ambasadorit Daan Everts, ish-kryesues i misionit të OSBE-së në Kosovë. Sipas tij, kjo dëshmi është fshehur nga Prokuroria për arsyen e thjeshtë, sepse ishte në favor të akuzuarve.
Avokati Gregory Kehoe, fillimisht ka deklaruar se rregulla 62 flet për detyrat e prokurorit të specializuar që thotë se në kryerjen e funksionit të vet prokurori i specializuar kontribuon në vërtetimin e së vërtetës.
“A ju kanë informuar ndonjëherë i nderuar gjykatës se diplomatët e lartë të OSBE- e kanë këshilluar prokurorin para katër vjetësh se veprimtaritë kriminale që akuzohen në këtë çështje penale pas qershorit ‘99 janë kryer nga individë që kërkonin përfitime personale…Individi që ka dhënë informacion të tillë ka qenë ambasadori Daan Everts, është diplomant holandez nga vitet ‘80”, ka thënë ai.
Kehoe ka thënë se po e citon ish-ambasadorin Everts, i cili sipas avokatit në dëshminë e tij ka thënë që “nuk sheh arsye që Thaçi donte të kryente krime etnike, sepse do ta dëmtonte reputacionin e tij”.
Tutje, ai tha se ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, ka folur me ZPS-në dhe se intervista ka përfunduar me një pyetje të bërë “ ju duhet të jeni shokë me Hashim Thaçin” dhe se kanë marrë këtë njoftim.
Këtë provë ai thotë që Prokuroria nuk ua ka dhënë, por e ka siguruar mbrojtja.
Edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, në këtë seancë ka prezantuar çështje për të cilat thotë se ka mospajtime, e që kryesisht lidhen më mënyrën se si ZPS-ja po ua dorëzon provat. Një gjë të tillë Emmerson e ka deklaruar pas paraqitjes së qëndrimeve nga ana e ZPS-së.
“Kjo ma bën me dije se nuk do të kemi ndonjë qartësi për provat që do të përdorë Prokuroria dhe objektin e tyre të paktën për disa muaj. Ajo që do të doja të përmendja është se në fund të konferencës do të ngre disa çështje që ndërlidhen edhe me këto tema”, ka thënë Emmerson.
Ndonëse edhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë kanë pasur ankesa për mënyrën se si po dorëzohen provat, përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka thënë që në këtë pikë janë korrektë.
“Sa i takon kohës për shumë prej materialeve të nxjerra në paketat e fundit të rregullës 103 ne kemi filluar të bëjmë kërkesa që në fillim të vitit 2019, jemi treguar korrektë në kërkimin e miratimeve nga palët përkatëse dhe në bazë të kësaj mund të them se kemi vepruar në përputhje me këtë proces”, ka deklaruar Claire Lawson.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë duke u gjykuar për krime lufte në Hagë. Ata po qëndrojnë në paraburgim qysh prej vitit 2020.