Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti udhëhoqi takimin e Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike. Në këtë takim me përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, vendet donatore, agjencitë zhvillimore dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e Zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj dhe Ministres së Financave Hykmete Bajrami, u diskutua për qasjen e përbashkët të Qeverisë dhe donatorëve për të financuar rimëkëmbjen ekonomike, pas pandemisë Covid-19, si dhe agjenda afatgjate zhvillimore e Kosovës. Gjatë takimit, Kryeministri Hoti falënderoi donatorët për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht për tejkalimin e pasojave të pandemisë Covid 19. Ai kërkoi përfshirjen direkte të donatorëve në zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, ku edhe shpalosi hollësi për formën e implementimit të saj. Gjatë takimit u prezantua gjendja aktuale rreth menaxhimit të pandemisë Covid 19 dhe masave të programit që janë planifikuar për vitin 2021, të cilat synohet të ndërlidhen me përkrahjen e ofruar nga donatorët. Në këtë takim u prezantua agjenda zhvillimore e Qeverisë së Kosovës për dekadën e ardhshme, me të cilën synohet rritja e përfitimit nga iniciativat dhe instrumentet e reja financiare, veçanërisht fondet e ofruara në kuadër të Planit të BE-së për Ekonomi dhe Investime të Ballkanit Perëndimor.