Infektologu Arben Vishaj ka thënë se në Kosovë mbi 99 për qind e pacientëve janë të infektuar me variantin Delta.
Ai ka thënë se momentalisht në Infektivë janë 107 pacientë, 12 janë në mjekim intensiv dhe 5 pacientë të intubur. Vishaj ka thënë se rreth 100 pacientë janë me oksigjenoterapi.
Sipas tij, natyra e virusit ka treguar që ka aftësi të transformohet gjatë bartjes së tij nga organizmi në organizmin tjetër.
“Nga vaksinimi që është duke u bërë jemi të bindur që sfidat do të jenë më të vogla. Duket që koronavirusi do të jetë një sfidë shumë e rëndë. Delta përhapet shumë më shpejtë dhe zhvillon një formë klinike më të rëndë. Në Klinikën Infektive pacientë të vaksinuar plotësisht janë zakonisht 2-3 për qind, ndërkaq pothuajse mbi 90 për qind e pacientëve janë të pavaksinuar. Me vaksinim më të madh do të ketë më pak pacientë. Për momentin ka vende të mjaftueshme të shtretërve dhe shpresojmë që këtë javë shifrat do të zvogëlohen edhe më shumë”, ka thënë ai.
Vishaj ka thënë se falë një numri më të madh të infermierëve të rinj janë stabilizuar.
Ai ka thënë se kanë pasur pacientë të vaksinuar pothuajse me të gjitha vaksinat, porse të njëjtit e kanë kaluar më lehtë virusin.