Tre gola të Mohamed Salahut i kanë ndihmuar Liverpoolit të nisë me fitore sezonin e ri të Premier Leagues. Kampioni fitoi 4:3 përballë Leeds Unitedit të sapoinkuadruar në ligën elitare angleze.
Egjiptiani Salah i dha epërsinë Liverpoolit pas vetëm katër minutash lojë, duke realizuar nga penaltia. Rezultati u barazua nga Jack Harrison tetë minuta më pas. Liverpooli gjeti sërish epërsinë, me Virgil Van Dijkun që shënoi në minutën e 20-të për 2:1. Një gabim i Van Dijkut ia mundësoi golin e barazimit të dytë Leedsit. Ky gol u shënua nga Patrick Bamford në minutën e 30-të. E për rezultatin përfundimtar të pjesës së parë u kujdes sërish Mohamed Salah me një supergol në minutën e 33-të, për rezultatin 3:2.
Mysafirët arritën barazimin në minutën e 66-të me Mateusz Klich dhe arritën të mbanin këtë rezultat deri dy minuta para fundit të kohës së rregullt. Me një tjetër penalti, Mohamed Salah u kujdes për trepikëshin e parë të “Të Kuqve” në sezonin e ri.