Numri i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 50,031.
Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, SHBA-ja ka numrin më të madh të viktimave me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Mbi 3,000 vdekje janë regjistruar në 24 orët e fundit.
Në gjithë SHBA-në, aktualisht janë mbi 870,000 të infektuar.
Megjithatë, ky vend vazhdon të ketë normë më të ulët të vdekshmërisë, krahasuar me shumicën e vendeve evropiane.
SHBA-ja, në fakt, ka numrin më të lartë të viktimave dhe të të infektuarve nga koronavirusi.
Por, popullsia e saj numëron 330 milionë banorë – shumë më shumë se vendet e tjera të goditura keq, si Spanja dhe Italia.
“Vendi [SHBA-ja] ka një nga normat më të ulëta të vdekshmërisë në gjithë botën”, tha Deborah Birx, eksperte e task-forcës së ngritur nga SHBA-ja për trajtimin e sëmundjes COVID-19.
Për kokë banori, niveli prej 1.4% i vdekjeve të raportuara në SHBA është më i ulët se në Spanjë, Itali, Francë, Belgjikë dhe Mbretëri të Bashkuar.