Në Kosovë po vazhdon vaksinimi antiCOVID ndërsa numri i rasteve të reja me koronavirus, ka filluar të bie, shkruan Gazeta Sinjali.
Të shtunën u regjistruan vetëm 40 raste të reja me koronavirus pas testimit të 2.135 mostrave. Shifra prej 40 i bie që 1.8 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.
Nga sëmundja COVID-19 janë shëruar edhe 358 pacientë ndërsa raste aktive janë 5.165.
Me shifrat e së shtunës, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 106.843, i viktimave në 2.223 dhe i të shëruarve në 99.455.
Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar të shtunën mbrëma se vaksinimi kundër COVID-19 ka vazhduar sot për qytetarët e moshës mbi 65 vjeçare të regjistruar në e-kosova dhe sipas termineve të caktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Gjatë dy ditëve të fundit janë vaksinuar 7.742 qytetarë me vaksinën kundër COVID-19, derisa numri i përgjithshëm i qytetarëve të vaksinuar deri më tani është 39.321.
“Vaksinimi po vazhdon përmes përcaktimit paraprak të termineve për qytetarët, të cilët janë regjistruar dhe kanë aplikuar përmes platformës e-kosova, të cilët kontaktohen dhe ftohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga QKMF-të në komuna, sipas listave të tyre në dispozicion. Ditëve në vijim, MSh do të krijojë mundësi të tjera shtesë për regjistrim e të gjithë qytetarëve që duhet të vaksinohen deri në arritjen e objektivit të vaksinimit të rreth 60% të popullatës së Kosovës”, njofton MSH-ja.
Vetëm gjatë së shtunës, në sallën “1 Tetori” janë vaksinuar 165 persona, ndërsa në nivel vendi sot janë vaksinuar 2.103 qytetarë.