Mbi 42 mijë numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA

SHBA-ja regjistroi 1 433 të vdekur në 24 orë si pasojë e koronavirusit të ri, shifër në rënie në raport me një ditë më parë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Ky bilanc e çon në 42 364 numrin total të të vdekurve të regjistruar që prej fillimit të pandemisë në SHBA, zyrtarisht vendi më i prekur në botë nga COVID-19.

Fuqia e parë ekonomike numëron tashmë më shumë se 784 000 persona të infektuar nga virusi, sipas të dhënave të aktualizuara në vazhdimësi.

Rreth 72 000 persona janë deklaruar të shëruar.

Nju Jorku është epiqendra e epidemisë së COVID-19 në SHBA, edhe pse duket se shteti e ka kaluar më të keqen e krizës.

“Të paktën 478 të vdekur janë regjistruar në 24 orë”, njoftoi guvernatori Andrew Cuomo, bilanci më i ulët prej më shumë se dy javësh. /AFP/.