Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri sot në Kosovë, me vaksinën antiCOVID janë vaksinuar 41.867 qytetarë.
“Ekipet e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe në njësitë tjera të vaksinimit në Kosovë kanë vaksinuar sot 2519 qytetarë. Me dhënien e vaksinave sot, numri i përgjithshëm i të vaksinuarve kundër COVID-19 në Kosovë ka arritur në 41.867”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ministria thotë se vaksinimi do të vijojë për qytetarët e moshës mbi 65 vjeç, të regjistruar në platformën elektronike e-Kosova dhe sipas listave në dispozicion të QKMF-ve, ndërsa Ministria u bën thirrje qytetarëve të çdo grupmoshe, që të regjistrohen dhe aplikojnë për marrjen e vaksinës kundër COVID-19 në platformën e-Kosova.
Sipas njoftimit të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri sot janë 5.061 raste aktive.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 106.914, i viktimave në 2.225 dhe i të shëruarve në 99.628.
Nga 12 maji, në Kosovë nisi faza e dytë e vaksinimit, që përfshin personat e moshës 65 deri në 79 vjeç.
Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.
Në fazën e tretë, ndërkaq, është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.
Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.
Vendi nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.