Të enjten 39 qytetarë të Kosovës të mbetur jashtë vendit janë kthyer në vendlindje. Ata janë kontrolluar për mundësinë e prekjes nga koronavirusi dhe janë dërguar në karantinë

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku bëri të ditur se në mesin e tyre ka pasur fëmijë, të moshuar, gra e burra.
Ai ka tregua se të mërkurën është kthyer edhe ekipi Kombëtar i Boksit dhe të gjithë janë vendosen në karantinë 14 ditore në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu – do të vazhdojë. Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet tjera s’janë brenga e jona tani. E falënderoj ministrin Quni dhe Ushtrinë e Kosovës që menjëherë dhe me profesionalizëm po na ndihmojnë”, tha ministri Abdixhiku.

Sipas tij, qytetarët e mbetur jashtë dhe urgjentisht duan të kthehen në Kosovë, duhet të kontaktojnë me Ambasadat e Kosovës, në ato vende ku gjenden.
“Secili i kthyer do të vendoset në Konvikte për 14 ditë. Të gjitha këto masa me karantinim po ndërmerren në mënyrë që shanset për përhapjen e këtij virusi të jenë sa më të vogla”, rikujtoi ministri Lumit Abdixhiku.
