Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2023, në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro.
Kryeministri Albin Kurti të premten në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ky buxhet vjen pas “vitit më të suksesshëm në histori, për të hyrat”.
Ai ka thënë se nga ky buxhet, rreth 750 milionë euro do të jenë për paga e mëditje, ndërsa 493 milionë për mallra e shpenzime.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se projektbuxheti ka tri objektiva: Vazhdim të konsolidimit të rimëkëmbjes ekonomike, zbutjen e ndikimit të presioneve të larta inflacionare që vjen nga importi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë makrofiskale për rritjen ekonomike.
“Ekonomia e Kosovës ka treguar rezistencë të mjaftueshme sa i përket përballueshmërisë me kriza. Deri në fund të vitit parashikojmë të kemi 3.8 deri në 4.1 për qind rritje ekonomike. Pritet një dinamikë e përshpejtuar e ekzekutimit të investimeve publike për shkak të zbatimit të kontratave në pritje që mundësohen me ligjin për mbështetjen e punëve publike. Eksporti i mallrave pritet të vazhdojë në trendin rritës të deritanishëm. Projeksionet mbi të hyrat për vitin 2023 pritet të arrijnë 2 miliard e 840 milionë euro”, ka thënë Murati.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe draftin e raportit nëntëmujor financiar të Buxhetit 2022.
Është miratuar edhe vendimi për zgjatjen e masave emergjente në furnizim të energjisë për 30 ditë.
“Edhe pse gjatë javës se fundit kemi pasur një përmirësim në tregun e Evropës, si rrjedhojë kemi pasur një ulje të përkohshme të çmimit, por kjo situatë pritet të jetë e përkohshme dhe situata me furnizim pritet të jetë problematike gjatë ditëve në vijim. Prandaj kërkoj ta votoni këtë pikë”, u shpreh ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli para se propozimi i saj të merrte mbështetjen.