Rreth 250 bujq në Komunën e Ferizajt kanë mbetur pa aplikuar për subvencione si pasojë e radhëve të gjata për aplikim dhe shkaku i mungesës së stafit komunal për kryerjen e lëndëve. Një pjesë e tyre të martën kanë protestuar para objektit të Komunës duke kërkuar zgjidhje institucionale. Në komunë kanë thënë se me kohë kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të zgjatet afati kohor për aplikim, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Bujqit po kërkojnë llogaridhënie nga Drejtoria e Bujqësisë në këtë komunë, si dhe nga vetë Ministria e Bujqësisë.
Naim Kutaliqi, fermer nga fshati Pleshinë i Komunës së Ferizajt, ka thënë se nuk ka mundur të aplikojë për disa hektarë të kulturave të ndryshme bujqësore, si pasojë e asaj që e ka quajtur neglizhencë e zyrtarëve komunalë.
“Kam mbetur pa aplikuar bashkë me 250 fermerë, për shkak të mosfunksionimit si duhet të sistemit nëpër zyra. Ne nga dy e tri herë i kemi caktuar terminët, por zyrtarët komunalë vazhdimisht na thoshin: ‘Ejani nesër ose pasnesër’. Dy javë jemi sjellë nëpër korridore të Komunës duke pritur dhe në ditën kur është mbyllur aplikimi zyrtarët komunalë na kanë thënë se ‘nuk kanë çfarë të na bëjnë’”, ka thënë Kutaliqi.
Sipas tij, secili bujk duhet ta ketë të drejtën e aplikimit, andaj institucionet duhet të gjejnë kohë të mjaftueshme për t’i kryer të gjitha lëndët.
“Sipas terminëve, ka pasur shumë lëndë dhe shumë bujq që kemi pritur në radhë të gjata tërë ditën dhe në fund të ditës nuk i kemi kryer punët. Neve nuk na intereson a kanë pasur staf apo jo, pastaj nuk na intereson a është dashur me zgjatë orarin e punës, apo jo. Neve na intereson që të aplikojmë dhe të marrim shërbim në mënyrë të barabartë, sikur të gjithë fermerët e tjerë, prandaj kërkojmë zgjidhje institucionale nga niveli lokal dhe ai qendror”, ka shtuar Kutaliqi.
Edhe fermeri tjetër nga fshati Mirosalë, Basri Bytyqi, ka treguar se kanë mbajtur takime edhe me udhëheqësit e Komunës, por nuk kanë mundur të gjenin zgjidhje, me arsyetime se Ministria e Bujqësisë i ka mbyllur afatet për aplikim.
“Marre duhet me u ardhë të gjithëve, sepse një fermer me mbetë pa aplikuar, kjo është marri për Qeverinë. Sot kemi pasur mbledhje me kryetarin, atë e ka akuzuar niveli qendror se pse ai është me tjetër parti, andaj kjo është problem politik dhe prandaj fermeri po e pëson”, është ankuar ai.
Edhe Asllan Maloku, fermer nga Ferizaj, ka kërkuar që t’i jepet mundësia të aplikojë për dhjetëra hektarë për kultura bujqësore, të cilat me shumë vështirësi i ka mbjellë.
“Ne kemi mbetur pa aplikuar, sepse ndoshta nuk ka pasur mundësi të aplikojnë të gjithë, për shkak se bartet një përgjegjësi edhe te Drejtoria e Bujqësisë, sepse stafi ka qenë i angazhuar aq shumë saqë s’ka mundur t’i mbulonte”, ka thënë Maloku
E, drejtori për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, Burim Bajrami, ka sqaruar se shkaku i kërkesave të shumta të fermerëve dhe mungesës së stafit komunal nuk kanë mundur t’i procedojnë të gjitha. Ka shtuar se sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Bujqësisë lejohet shtyrja e afatit për 15 ditë, por një gjë të tillë nuk ua ka lejuar ministria.
“Ne me të parë këtë fluks të fermerëve në komunën tonë kemi bërë kërkesë te Ministria dhe te ministri Peci që i njëjti afat, duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ që e ka nxjerrë Ministria e Bujqësisë në nenin 38, ku thotë se mund të shtyhet procesi i aplikimit për 15 ditë, ne kemi kërkuar që të shtyhet i njëjti afat, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Pra, ne kemi kërkuar që i njëjti afat të shtyhet për të paktën dhjetë ditë pune dhe t’iu mundësohet të gjithë fermerëve të aplikojnë, mirëpo sot e asaj dite nuk kemi marrë asnjë përgjigje edhe pse kemi dërguar e-maile të vazhdueshme në adresa të Ministrisë”, ka thënë Bajrami.
Në anën tjetër, Albulena Maloku-Ahmeti, zyrtare e lartë për komunikim me publikun në Ministrinë e Bujqësisë, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar se më datë 26 prill të këtij viti është hapur periudha e aplikimit për pagesa të subvencioneve në kuadër të Programit të Pagesave Direkte 2022. Sipas saj, ky afat, i cili fillimisht ishte i hapur deri më 25 maj 2022, por me kërkesë të 11 drejtorive komunale për bujqësi, ishte shtyrë deri më 1 qershor të këtij viti në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për të cilën gjë me kohë ishin njoftuar të gjithë të interesuarit në këtë proces.
“Po ashtu, duhet theksuar se pas shtyrjes së këtij afati, deri më datë 1 qershor, në MBPZhR nuk është pranuar asnjë kërkesë për ndonjë shtyrje tjetër të këtij afati. Rrjedhimisht pas mbylljes së afatit, pra më datë 1 qershor, është mbyllur edhe sistemi për aplikime, procedurë kjo e cila parashihet edhe me udhëzimet në fuqi. Ndërkaq, pas mbylljes së këtij afati (1 qershor), Komuna e Ferizajt e kishte përcjellë një kërkesë për shtyrje të afatit më datën 3 qershor, pra dy ditë pas mbylljes përfundimtare të afatit, e rrjedhimisht edhe të sistemit të aplikimeve, periudhë kjo kur Drejtoria e Pagesave Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë kishte filluar t’i pranonte lëndët e fermerëve aplikues nga drejtoritë komunale për bujqësi”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, të gjithë fermerët aplikimin për pagesa të subvencioneve e realizojnë secili nëpër komunat e tyre ku jetojnë dhe në këtë rast përgjegjësia e neglizhencës për mosmenaxhim të situatës me aplikim në Programin e Pagesave Direkte i bie tërësisht Komunës së Ferizajt.
“Ndërkaq, pas pranimit të këtyre lëndëve vazhdojnë procedurat e brendshme administrative, të cilat janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 02/2022 për Pagesa Direkte, duke filluar nga kontrolli/vlerësimi administrativ i aplikacioneve e më pastaj edhe kontrollet në terren”, ka thënë më tej Ahmeti në përgjigje.
Ajo ka sqaruar se pas përfundimit të këtyre hapave bëhet procedimi për ekzekutimin e pagesave për të gjithë aplikuesit që i plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar konform Programit dhe Udhëzimit Administrativ.
“Vlen të theksohet se këtë vit kemi numër rekord aplikimesh në Programin e Pagesave Direkte /Subvencioneve dhe pas shtyrjes së afatit fillestar kemi monitoruar nga afër procesin e vazhdimit të aplikimeve, ku nuk janë raportuar ngarkesa në aplikime, madje në shumicën e komunave nuk ka pasur aplikues të rinj”, ka shtuar ajo.
Në Komunën e Ferizajt për çdo vit aplikojnë për subvencione mbi një mijë fermerë për kultura të ndryshme bujqësore.