Situata me pandeminë ka vënë në sprovë edhe autoritetet e sigurisë në Kosovë. Vështirësitë e institucioneve shëndetësore në menaxhimin e pandemisë kanë gjetur zgjidhje tek policia dhe institucionet e rendit për ta bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të situatës epidemiologjike.
Pas izolimit të plotë në fillim të rasteve të para të pandemisë dhe me fillimin e lirimit të masave, qytetarët filluan të ishin mos-respektues ndaj tyre për shkak se të njëjtat nuk ishin pozitive me ligj, shkruan lajmi.net.
Tash e një muaj e gjysmë, ata që shkelin masat kundër pandemisë do të gjobiten sipas ligjit në fuqi të votuar në Kuvendin e Kosovës me 77 vota pro.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, për më pak se një muaj në Kosovë që kur ligji për pandeminë ka hyrë në fuqi janë dënuar hiç më pak se 24349 persona për shkeljen e masave anti-koronavirus.
Persona të arrestuar për shkelje të këtyre masave janë 4, ndërsa 4 fletëparaqitje janë dërguar në Gjykatë.
Policia e Kosovës në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit për pandeminë, gjatë periudhës 26 gusht 2020 (data kur ligji ka hyrë në fuqi), e deri më datë 20 shtator 2020, ka dhënë edhe 5918 vërejtje policore.
Personat të cilët janë gjobitur gjatë kësaj periudhe, varësisht shkeljes që kanë bërë do të marrin edhe dënimet e paracaktuara sipas ligjit në fuqi.
Për mos-mbajtje të maskës dhe mos-mbajtje të distancës qytetarët janë dënuar për secilën nga 35 euro.
Shkelja e orarit të kufizimit të qarkullimit i ka kushtuar qytetarëve të Kosovës 200 euro, ndërsa mos-respektimi i izolimit ka kushtuar 500 euro.
Masat anti-Covid në Kosovë vazhdojnë të jenë në fuqi dhe për shkeljen e tyre qytetarët do të dënohen sipas ligjit në fuqi. Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dje ka paralajmëruar se mund të ketë relaksim të masave.
Ndërkohë, masat kryesore kundër koronavirusit në Kosovë janë mbajtja e obliguar e maskës në vende të hapura dhe të mbyllura, distanca fizike e obligueshme në vende të mbyllura, kufizimi i lëvizjes nga ora 22:30 deri në ora 05:00.
Mbetet të shihet ditët në vijim se cilat do të jenë masat e reja të qeverisë dhe Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë së krijuar nga virusi COVID-19.